6 shtator, 2022 – Ballkani ka shënuar fitoren e parë në fazën e grupeve në UEFA Conference League, duke regjistruar një tjetër sukses historik për futbollin tonë në nivel klubesh. Skuadra kampione e Kosovës ka mposhtur skuadrën turke, Sivasspor, me rezultat 4:3. Kësisoj, skuadra e Ballkanit bëhet skuadra e parë kosovare që fiton në këtë nivel garash. Ndeshja në Sivas ishte përplot emocione e kthesa në rezultat. Loja nisi keq për skuadrën e Ilir Dajës që pësoi gol qysh pas 32 sekondash lojë, kur shënoi Fredrik Ulvestad pas një reagimi të zbehtë të mbrojtjes së Ballkanit. Mirëpo, portokallezinjtë reaguan shpejt dhe përmbysën shifrat me supergolin e Armend Thaqit, në minutën e 20-të dhe Arbër Potokut, në minutën e 31-të. Loja e mirë e Ballkanit vazhdoi edhe në pjesën e dytë, teksa Meriton Korenica konkretizoi një tjetër aksion të shkëlqyeshëm për rezultatin 3:1, në minutën e 66-të. Minutat e mbetura sollën mbizotërim të skuadrës turke, e cila arriti që të barazojë shifrat me golat e Erodgan Yesilyurt (75’) dhe Mustapha Yatabare (91’). Mirëpo, dëshira e madhe e futbollistëve të Ballkanit për fitore nuk u venit dhe në minutën e 94-t, Ermal Krasniqi shënoi për fitoren historike të Ballkanit.