9 nëntor, 2023 – Kampioni në fuqi i Kosovës, FC Ballkani ka marrë një pikë si mysafir ndaj Astanas në Kazakistan. Ndonëse dominuan gjatë gjithë ndeshjes në “Astana Arena”, portokallezinjtë nuk arritën të gjejnë rrugën e golit, duke u pajtuar me barazimin 0:0 dhe me një pikë nga kjo sfidë, në kuadër të xhiros së katërt në Ligën e Konferencës. Ky barazim e mban në garë për kualifikim tutje skuadrën e Ilir Dajës. Në pjesën e parë raste të mira patën Nazmi Gripshi (4’) që gjuajti mbi portë dhe Almir Kryeziu (32’), gjuajtjen e të cilit e dëboi portieri kazak. Në 45 minutat e dytë Ballkani u shfaq edhe më kërkues, por nuk kishte fat për të konkretizuar asnjërin prej rasteve të krijuara. Gripshi ishte dy herë tjera afër golit, por në minutën e 73-të gjuajti pranë pingules nga distanca, derisa në minutën e 82-të golin ia mohoi portieri vendas. Ballkani tani ka katër pikë, kurse ndeshjen e radhës e luan më 30 nëntor kundër Viktoria Plzenit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.