26 gusht, 2022 – Skuadra kampione e Kosovës, FC Ballkani, i ka mësuar sot kundërshtarët e fazës së grupeve në UEFA Conference League. Në shortin e tërhequr sot në Stamboll, portokallezinjtë e Suharekës janë vendosur në Grupin G, ku do të kenë punë me skuadrën çeke, Sllavia Pragë, atë rumune, CFR Cluj dhe atë turke Sivasspor. I pranishëm në tërheqje të shortit ishte edhe presidenti Agim Ademi, si dhe përfaqësuesi i FC Ballkani, Nderim Nexhipi. Ballkani është skuadra e parë kosovare që arrin në këtë nivel të garave evropiane. Ndeshjen e parë në kuadër të fazës së grupeve, Ballkani e luan më 8 shtator, derisa progami i ndeshjeve vazhdon në datat 15 shtator, 6 tetor, 13 tetor, 27 tetor dhe 3 nëntor. Fituesit e tetë grupeve kalojnë direkt në fazën e 1/16 së finales, derisa skuadrat e vendit të dytë në tetë grupet luajnë në ‘Play-Off” me 8 skuadrat e vendit të tretë në grupet e UEFA Europa League.