10 dhjetor, 2020 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 17-të në Superligë. Ballkani ka shënuar fitore si vendas në duel me Trepçën’89, me rezultat 2:0, duke e ruajtur hapin me Dritën në synimin për rikthim në pozitën e parë. Skuadra portokallezi nga Suhareka deri te fitorja e 12-të në këtë edicion arriti me golat e shënuar nga Edvin Kuç, në minutën e 62-të dhe Nazmi Gripshi, në minutat e kohës shtesë. Ndërkaq, në ndeshjen tjetër Llapi shënoi fitore të rëndësishme si mysafir në duel me Arbërinë, me rezultat 2:1, duke dëshmuar se tashmë është këndellur pas serisë së rezultateve negative. Golat për fitoren e llapjanëve i shënuan Elvis Prençi (30’) dhe Kastriot Selmani (39’), derisa golin e vetëm për Arbërinë e shënoi Labinot Ibrahimi. Pas kësaj fitoreje, Llapi mbetet në pozitën e parafundit, por tani ka 17 pikë, vetëm një më pak se Drenica në pozitën e 8-të.