14 dhjetor, 2023 – Kampioni i Kosovës, FC Ballkani e ka përfunduar rrugëtimin evropian pas eliminimit nga faza e grupeve në Ligën e Konferencës. Në ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit C, portokallezinjtë nga Suhareka pësuan humbje kundër Dinamos në Zagreb, me rezultat 3:0, duke përfunduar kësisoj në pozitën e fundit në grup. Ky ishte viti i dytë rresht që Ballkani ka qenë pjesë e fazës së grupeve në këtë garë të UEFA-s. Në gjashtë ndeshjet e kësaj faze, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja regjistroi një fitore, një barazim dhe katër humbje. Në duelin e fundit, ndonëse u mbajtën mirë deri në minutën e 70-të, futbollistët e Ballkanit pësuan humbje të thellë. Dinamo e zhbllokoi rezultatin në momentet më të mira të Ballkanit. Dino Periq (70’) dhe Bruno Petkoviq (72’, 77’-pen) shënuan për fitoren e Dinamos, që kësisoj u hakmor për humbjen e pësuar në “Fadil Vokrri” (2:0). Me këtë fitore skuadra kroate e siguroi vendin e dytë në grup dhe kalimin në fazën nokaut bashkë me skuadrën çeke, Viktoria Plzen.