28 shkurt, 2021 – Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 22-të në Superligë. Drita ka shënuar fitore në shtëpi në duel me skuadrën e fundit në renditje, Besën, me rezultat 3:1. Kjo fitore, por edhe  humbja e Ballkanit në Podujevë ia ka mundësuar skuadrës kampione në fuqi që të rikthehet në pozitën e parë pas dy javësh kryesimi të skuadrës portokallezi nga Suhareka. Për Dritën kjo ishte fitorja e parë pas dy humbjeve radhazi kundër Trepçës ’89 dhe Prishtinës. Dy gola për gjilanasit i shënoi Xhevdet Shabani (5’ dhe 15’), derisa me një gol kontribuoi Bujar Shabani (67’). E golin e nderit për skuadrën pejane e shënoi Ardi Hajdini, në minutën e 65-të. Ndërkaq, fitore shumë të rëndësishme si vendas ka arritur edhe Llapi, që e ka mundur Ballkanin në “Zahir Pajaziti”, me rezultat 1:0. Golin e tri pikëve të mëdha për llapjanët e shënoi zëvendësuesi Edon Sadriu, në minutën e 69-të, pak çaste pasi skuadra e tij mbeti me 10 lojtarë në fushë pas përjashtimit të portierit Marian Çoriq.  Me këtë fitore, Llapi është ngjitur në pozitën e gjashtë, me 26 pikë, derisa Ballkani tashmë e sheh veten në pozitën e dytë me 2 pikë më pak se Drita.