26 tetor, 2023 – Kampioni i Kosovës në futboll, FC Ballkani ka pësuar humbje në duel me skuadrën kazake, Astana, në kuadër të xhiros së tretë në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë është mbyllur me rezultat 2:1, në të mirë të skuadrës mysafire. Futbollistët e Ballkanit edhe këtë herë patën paraqitje të mirë dhe krijuan shumë raste shënimi, por nuk u treguan efikas. Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e shtatë, me golin e Kamo Hovhannisyan. Por, Ballkani reagoi shumë shpejt, ngase ende pa kaluar një minutë riktheu baraspeshën në rezultat, me golin e shënuar nga kapiteni Edvin Kuç me kokë. Mirëpo, Astana shënoi sërish në minutën e 24-t përmes kapitenit Abzal Beysebekov. Në pjesën e dytë Ballkani e dominoi lojën, por shpërdoroi shumë raste shënimi. Ndeshjen e radhës e luan sërish kundër Astanas, pas dy javësh në Kazakistan. Ballkani ka dy humbje e një fitore në tri ndeshje të zhvilluara.