27 tetor, 2022 – Kampioni në fuqi i Kosovës, FC Ballkani ka pësuar humbje në ndeshjen e pestë të fazës së grupeve në UEFA Conference League ndaj Slavia Pragës. Ndeshja e zhvilluar, të enjten në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri” është mbyllur me rezultat 0:1. Kjo humbje njëherësh i jep fund shpresave të Ballkanit për të kaluar në fazën e eliminimit direkt, teksa ndeshjen e fundit ndaj Clujit do ta luajë vetëm sa për statistika dhe krenari. Përcaktuese në këtë ndeshje ishte minuta e 76-të, kur Ondrej Lingr shënoi me gjuajtje me kokë nga afërsia, pas një reagimi jo të mirë në mbrojtjen e suharekasve. Ballkani edhe në këtë ndeshje pati paraqitje të mirë dhe krijoi disa mundësi të mira shënimi. Madje, në minutat e fundit heroi i skuadrës çeke ishte portieri Kolar, që ia mohoi golin Edvin Kuç dhe Albin Berishës.