19 janar, 2024 – Ballkani dhe Prishtina do të përballen të shtunën në “Mardan Palace Stadium” në Aksu të Antalisë, në ndeshjen e Superkupës së Kosovës në futboll. Të dyja skuadrat tash e disa ditë ndodhen në fazë përgatitore në Turqi dhe pritet që në këtë ndeshje të tregojnë formë të mirë, pasi janë maksimalisht të motivuara për sukses. Një ditë para kësaj ndeshje përfaqësuesit e të dyja klubeve në prani të administratorit të Superligës, Agron Shosholli e kanë bërë tërheqjen e shortit për skuadrën që do të jetë në cilësi të vendasit. Në bazë të shortit Ballakani do të jetë vendas dhe do të luajë me fanellën e parë vendase, ndërsa Prishtina do të dalë në fushë me fanellat mysafire.
Ndeshja do të luhet në orën 11:00 sipas kohës në Kosovë dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në ArtSport.
Kjo ndeshje i paraprinë stinorit pranveror në futbollin kosovar, që nis në fillim të muajit të ardhshëm.