18 gusht, 2022 – Skuadra kampione e Kosovës, Ballkani ka realizuar fitore të madhe në ndeshjen e parë të “play-off”-it në Ligën e Konferencës. Portokallezinjtë nga Suhareka triumfuan si mysafirë në stadiumin “Todor Proeski” në duel me kampionin e Maqedonisë së Veriut, Shkupin, me rezultat 2:1. Kësisoj, skuadra e Ilir Dajës ka bërë një hap të madh drejt avancimit në fazën e grupeve, që do të ishte sukses historik dhe i jashtëzakonshëm për futbollin kosovar në përgjithësi. Të parët në epërsi kaluan shkupjanët, me golin e Sunday Adetunji, në minutën e 19-të, me gjuajti me kokë. Megjithatë, Ballkani reagoi shumë shpejt dhe në minutën e 23-të barazoi shifrat, me golin e Albion Rrahmanit nga afërsia pas asistimit të Armend Thaqit. Ndërkaq, fitoren e portokallezinjve e siguroi Meriton Korenica, i cili në minutën e 67-të, kur realizoi një supergol nga distanca. Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku ashtu sikurse në Shkup, pritet të jehojë kënga shqiptare nga tifozët e të dyja skuadrave.