16 tetor, 2022 – Kampioni në fuqi, Ballkani ka regjistruar barazimin e parë në këtë edicion në Albi Mall Superligë. Skuadra portokallezi, e cila sivjet po e përfaqëson futbollin tonë në mënyrë dinjitoze në UEFA Conference League, të dielën, në Skenderaj, ka barazuar me Drenicën, 1:1, në kuadër të javës së 11-të. Kuqezinjtë kaluan të parët në epëris me golin e Osman Mziut, në minutën e 54-t, por skuadrën suharekase nga humbja e shpëtoi Armend Thaqi, me një supergol në minutën e 81-të. Pa fitues u mbyll edhe ndeshja në stadiumin “Riza Lushta”, ku Trepça’89 dhe Llapi u ndan baras, 3:3. Golat për Trepçën’89 i shënuan Ardian Muja (23’), Bleon Sekiraqa (53’) dhe Armend Gashi (72’), derisa për llapjanët shënuan Kushtrim Shabani (49’), Drilon Fazliu (71’) dhe Festim Alidema (91’-p). Ndërkohë, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Liman Gegaj” fitores iu gëzua Gjilani, që e mundi Malishevën vendase, me rezultat 1:0. Golin e vetëm në ndeshje e realizoi Theophilius Solomon në minutën e 51-të. Malisheva pati mundësi për të barazuar shifrat por gjuajtjen e Alban Shillovës nga penalltia e priti Enea Koliqi. Në ndeshjet e zhvilluara të shtunën, Prishtia realizoi fitoren e parë në “Fadil Vokrri”, duke e mposhtur Ferizajn, 2:1, derisa Drita shënoi fitore si mysafire ndaj Dukagjinit (1:0).