7 prill, 2024 – Skuadra e Ballkanit është rikthyer në pozitën e parë në renditjen e Albi Mall Superligës pas fitores së sotme ndaj Lirisë së Prizrenit, në kuadër të javës së 28-të, por edhe falë humbjes që Llapi pësoi para tifozëve të vet ndaj Dritës.
Skuadra e Ilir Dajës vazhdon të tregojë dominimin e saj në Superligë, teksa shënoi fitore të rëndësishme ndaj skuadrës së fundit në renditje, Lirisë, me rezultat 2:0. Në një ndeshje të dominuar nga ekipi i Ballkanit, golin e parë e shënoi Nazmi Grishi në minutën e 70-të, ndërsa shifrat përfundimtare i vendosi kapiteni Edvin Kuç në minutën e 92-të. Kjo fitore i jep Ballkanit kryesimin e tabelës me 56 pikë.
Ndërkohë, përballja në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndërmjet Llapit dhe Dritës, e cila u zhvillua në praninë e një numri të madh të tifozëve u mbyll me fitoren e mysafirëve, me rezultat 1:0. Golin e fitores për Dritën e shënoi Blend Baftiu në minutën e 42-të, duke bërë që Llapi të zbres në vendin e dytë në tabelë me 54 pikë, aq sa tashmë ka edhe skuadra gjilanase në pozitën e tretë.
E ndeshja në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ndërmjet Feronikelit 74 dhe Prishtinës është mbyllur pa fitues dhe pa gola. Ky barazim e lë Feronikelin 74 në pozitën e tetë në renditje, me 30 pikë.