30 nëntor, 2023 – Një dalje e pasuksesshme e portierit Enea Koliçi pas harkimit nga këndi shënoi fatin e Ballkanit, duke sjellë humbjen me rezultat 1:0 kundër Viktoria Plzenit në Ligën e Konferencës. Ishte mesfushori Pavel Sulc që siguroi fitoren për Plzenin me një gol të realizuar me kokë në minutën e 81-të në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, në kuadër të xhiros së pestë në Grupin C.
Me këtë fitore, Viktori Plzen ka tubuar 15 pikë dhe ka siguruar vendin e parë në grup, ndërsa Ballkanin, me katër pikë, e pret sfidë e vështirë për të kaluar në fazën tjetër, pasi në ndeshjen e fundit të grupit përballet me Dinamo Zagrebin.
Ballkani pati një paraqitje të mirë në pjesën e parë të ndeshjes, duke dominuar në posedimin e topit dhe krijuar raste të mira shënimi. Megjithatë, një gol i mohuar në minutën e 14-të nga ana e mbrojtësit çek, që largoi topin nga vija fatale pas goditjes me kokë të kapitenit Edvin Kuç dhe një rast tjetër i humbur i sulmuesit Bernard Karrica në minutën e 31-të nuk lejuan festën e portokallezinjve. Në pjesën e dytë, Ballkani nuk arriti të vazhdojë ritmin e njëjtë dhe Plzeni e shfrytëzoi një gabim të portierit Koliçi për të siguruar fitoren. Me shpresën për avancim tutje, Ballkani do të udhëtojë në Zagreb më 14 dhjetor. Atje i duhet fitorja dhe njëherësh që Astana të mos fitojë ndaj Viktoria Plzen për ta arritur suksesin e ri historik.