4 dhjetor, 2022 – Skuadra kampione në fuqi, Ballkani ka shënuar fitore në duel me Llapin, 3:0, në ndeshjen e mbetur të javës së 7-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Ndeshja në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë nisi me një minutë heshtje në nderim të futbollistit të ri të FC Trepça’89, Erion Kajtazi, i cili dje ndërroi jetë në fushën e gjelbër pas një sulmi kardiak. Portokallezinjtë e Suharekës e dominuan ndeshjen në Podujevë. Rezultatin e zhbllokoi sulmuesi llapjan në radhët e Ballkanit, Albion Rrahmani, me golin e shënuar në minutën e 24-t. Epërsinë në 2:0 e shtoi Armend Thaqi, në minutën e 56-të, derisa rezultatin përfundimtar e vulosi Meriton Korenica, tre minuta më vonë. Për Ballkanin kjo ishte fitorja e 11 në këtë edicion në 17 ndeshje të zhvilluara. Ndeshjen e fundit për këtë vit skuadra e Ilir Dajës e zhvillon më 11 dhjetor kundër Prishtinës në Suharekë dhe me fitore eventuale ka mundësi të dimërojë në pozitën e parë, pasi tashmë ka vetëm një pikë më pak se Drita.