2 tetor, 2022 – Skuadra kampione në fuqi, Ballkani është rikthyer me fitore në shtëpinë e saj pas shtrimit të tapetit të ri të fushës në Suharekë. Portokallezinjtë, të dielën, në kuadër të javës së 9-të iu gëzuan fitores para tifozëve të vet në duel me Gjilanin, me rezultat 2:0. Shifrat e këtij dueli i zhbllokoi lojtari mysafir Arbër Prekazi, i cili shënoi autogol, në përmbyllje të pjesë së parë. Ndërkaq, shifrat në 2:0 i shtoi Meriton Korenica, pas një aksioni të shkëlqyeshëm. Kësisoj, Ballkani pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara deri më tash (dy ndeshje i ka të mbetura për shkak të angazhimeve në Ligën e Konferencës), ndodhet në pozitën e dytë më 18 pikë, tri më pak se skuadra e Dritës, e cila kryeson renditjen.