5 tetor, 2023 – Kampioni i Kosovës, Ballkani ka arritur fitore të madhe kundër kampionit të Kroacisë, Dinamo Zagreb, me rezultat 2:0. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” i takoi xhiros së dytë të Ligës së Konferencës, teksa për portokallezinjtë e Suharekës kjo ishte fitorja e parë në fazën e grupeve në këtë edicion. Ballkani shfaqi lojë të shkëlqyeshme, duke qenë po thuajse gjatë tërë ndeshjes skuadër më e mirë. Rezultatin e zhbllokoi Almir Kryeziu, i cili shënoi nga brendësia e zonës me gjuajtje të fortë. Fillimisht goli u anulua për pozitë jashtëloje, por më pas me ndërhyrjen e VAR-it, goli doli të jetë i vlefshëm dhe gëzimi tek futbollistët e Ballkanit dhe tifozët në tribuna ishte i jashtëzakonshëm. Edhe në pjesën e dytë portokallezinjtë ishin skuadër kompakte dhe në minutën e 84-t arritën të vulosin fitoren, me golin e sulmuesit algjerian, Walid Hamidi. Ndeshjen e radhës në Ligën e Konferencës, Ballkani e luan më 26 tetor, ku sërish do të luajë para tifozëve të vet kundër Astanas, skuadër e cila në dy ndeshjet e para ka pësuar humbje.