20 tetor, 2022 – Skuadra kampione në fuqi, Ballkani ka shënuar fitore në kuadër të javës së 12-të në Albi Mall Superligë. Portokallezinjtë e Suharekës shënuan fitore para tifozëve të vet në duel me Trepçën’89, me rezultat 2:0. Të dy golat Ballkani i realizoi në pjesën e dytë. Rezultatin e zhbllokoi Ermal Krasniqi, në minutën e 48-të, derisa shifrat përfundimtare i vendosi Albion Rrahmani, në minutën e 75-të nga penalltia. Pas kësaj fitoreje, Ballkani e zvogëlon ngecjen ndaj Dritës lidere në vetëm dy pikë, por ka edhe dy ndeshje më pak të zhvilluara. Me të njëjtin rezultat, por si mysafire ka fituar edhe Drenica. Kuqezinjtë e Skenderajt kanë festuar në duel me Gjilanin, me golat e Osman Mëziut dhe Ermal Veliqit, në 10 minutat e fundit të ndeshjes. Kjo fitore bën që Drenica të ngjitet në pozitën e pestë në renditje, me 15 pikë. Ndërkohë, dje Prishtina shënoi fitore si mysafire e Dritës (2:1), kurse Malisheva realizoi fitoren më bindëse të edicionit ndaj Ferizajt (6:0). Ndeshja Llapi-Dukagjini është shtyrë për 26 tetor.