1 nëntor, 2020 – Këtë fundjavë janë zhvilluar ndeshjet e para të fazës së dytë të Superligës, përkatësisht përballjet e javës së 10-të. Skuadra kryesuese, Ballkani ka vazhduar me fitore, duke arkëtuar tri pikë të reja në shtëpi në duel me Besën, me rezultat 4:1 dhe tashmë kryeson renditjen me 25 pikë. Mirlind Daku vazhdoi me formë të shkëlqyeshme, duke realizuar dy gola (27’, 30’), derisa me dy gola kontribuoi edhe Meriton Korenica (80’, 90’), teksa golin e vetëm për pejanët e shënoi Sheqerolli (70’). Ndërkohë, kampionia në fuqi, Drita ka shënuar fitore si mysafire në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë ndaj Llapit, me përmbysje të rezultatit (2:1), duke qenë konkurrentja kryesore e Ballkanit, me 6 pikë më pak, por me dy ndeshje më pak të zhvilluara. Llapjanët kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Valmir Veliu në minutën e 9-të, por Drita u rikthye në rezultat në pjesën e dytë me golin e Almir Azerajt (57’) dhe autogolin e Ahmed Januzit (71’). Fitore si mysafire dhe me përmbysje të rezultatit arriti edhe Trepça’89 në duel me Arbërinë (2:1). Vendasit krijuan epërsi me golin e Dior Zabërgjës, por më pas Bissmark Sie (55’) dhe Rilind Nimani (62’) me golat e tyre u përkujdesen për fitoren e skuadrës mitrovicase. Ndërkaq, Drenica ka arritur fitoren e dytë radhazi nën drejtimin e trajnerit të ri, Bledar Devolli, duke e mposhtur Prishtinën në Skenderaj (1:0). Golin e vetëm në këtë takim e shënoi Egzon Fazliu (60’). Për Prishtinën kjo ishte humbja e tretë radhazi. Ndeshja e vetme e kësaj jave që u mbyll pa fitues dhe pa gola ishte ajo ndërmjet Gjilanit dhe Feronikelit, epilog të cilit iu gëzua më shumë skuadra mysafire.