3 shtator, 2023 – Skuadra kampione në fuqi, Ballkani e ka vazhduar serinë e fitoreve në këtë edicion në Albi Mall Superligë. Në kuadër të javës së 4-t, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja, ka shënuar fitore para tifozëve të vet në përballje me Gjilanin, me rezultat të ngushtë, 2:1. Golat për Ballkanin i shënuan Albin Krasniqi (19’) dhe Arb Manaj (78’), derisa golin e barazimit të përkohshëm për gjilanasit e realizoi Oltion Bilalli (59’). Dy ndeshjet e tjera të ditës së sotme përfunduan pa fitues. Dukagjini arriti të shkëpusë një pikë si mysafir i Dritës, duke barazuar 2:2. Dukagjini kaloi në epërsi përmes Bujar Shabanit, në minutën e 30-të, por Drita reagoi në minutat 40-të dhe 45-të përmes golave të Blerim Krasniqit dhe Besnik Krasniqit, duke përmbysur rezultatin. Megjithatë, Dukagjini barazoi shifrat në minutën e 65-të me golin e Ardit Dallkut. Merita të mëdha për një pikë të skuadrës nga Klina pati portieri Kenan Haxhihamza, i cili në minutën e 92-të priti gjuajtjen e Besnik Krasniqit nga penalltia. Ndërkohë, ndeshja ndërmjet Llapit dhe Prishtinës në “Zahir Pajaziti” nuk ka prodhuar as fitues e as gola.