30 nëntor, 2020 – Është përmbyllur java e 15-të në Superligë me dy ndeshjet e zhvilluara sot. Skuadra lidere në renditje, Ballkani ka realizuar fitoren e radhës, duke e mundur Arbërinë në Suharekë, me rezultat 2:1. Për skuadrën portokallezi kjo ishte fitorja e 11-të në këtë edicion, përkatësisht e treta radhazi. Golat për Ballkanin i shënuan Blend Baftiu, në minutën e 8-të dhe Mirlind Daku, në minutën e 35-të, derisa golin e vetëm për skuadrën e Arbnor Morinës e realizoi Kreshnik Bahtiri, në minutën e 45-të. Në ndeshjen tjetër që u zhvillua sot, Llapi shënoi fitore si mysafir në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, duke e mundur Drenicën, 1:0. Deri te kjo fitore Llapi arriti me golin e shënuar nga Arbnor Ramadani, në minutën e 89-të. Ndërkohë, të shtunën dhe të dielën janë zhvilluar tri ndeshjet e tjera.