3 dhjetor, 2023 – Sot, në AlbiMall Superligën e Kosovës në futboll, u zhvilluan tri ndeshje në kuadër të javës së 16-të, ku Ballkani dhe Drita shënuan fitore, derisa Dukagjini e Prishtina e ndan nga një pikë. Në një ndeshje emocionuese, Ballkani fitoi përballë Fushë Kosovës me rezultatin 2:1. Edhe pse u gjet në disavantazh pas supergolit të Osman Mëziut në minutën e katërt, Ballkani tregoi karakter dhe riktheu baraspeshën në fund të pjesës së parë me golin e Walid Hamidit. Dominimi i portokallezinjve vazhdoi në pjesën e dytë, ku Qëndrim Zyba shënoi golin e fitores në minutën e 87-të, duke siguruar kështu pikët e plota për Ballkanin.

Zekirija Ramadani ka debutuar me sukses te Drita, teksa ka udhëhequr skuadrën e tij drejt fitores 3:1 kundër Feronikelit 74. Blerim Krasniqi (32′), Blend Baftiu (34′)dhe Albin Prapashtica (90’+) ishin autorët e golave për Dritën, ndërsa Bachare Razack shënoi golin e vetëm për Feronikelin 74.

Ndeshja ndërmjet Dukagjinit dhe Prishtinës përfundoi pa gola, 0:0. Edhe pse të dy ekipet patën mundësi për të shënuar, në fund mbetën të kënaqura me nga një pikë nga kjo përballje.

Pas kësaj xhiroje, Ballkani vazhdon të mbetet në krye të tabelës me 38 pikë, ndërsa Drita dhe Llapi e ndjekin me nga 28 pikë secila.