1 maj, 2022 – Ballkanit i është shtyrë festa e titullit të kampionit në BKT Superligë së paku edhe një javë, pasi në ndeshjen e javës së 32-të nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në duel me Llapin. Përballja e këtyre dy skuadrave e zhvilluar, të dielën, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në një atmosferë madhështore është mbyllur baras 1:1. Kësisoj, Ballkanit i duhet vetëm edhe një pikë në katër ndeshjet e mbetura për t’u konfirmuar kampion i këtij edicioni. Portokallezinjtë kaluan në epërsi në minutën e 15-të me golin e Ermal Krasniqit, por shifrat i barazoi Kastriot Selmani, në minutën e 62-të, me gjuajtje të fortë dhe falë devijimit nga Armend Thaqi. Pa fitues dhe me të njëjtin rezultat është mbyllur edhe dueli në Gjilan ndërmjet Dritës dhe Drenicës. Të parët shënuan vendasit me golin e Albin Krasniqit në minutën e 52-të, por një pikë të rëndësishme kuqezinjve të Skenderajt ia siguroi Genc Hamiti në minutat shtesë të ndeshjes. Drita me këtë barazim mbanë pozitën e tretë në renditje me 56 pikë, ndërsa Drenica renditet e teta me 40 pikë, pozitë kjo që dërgon në barazh. Malisheva ka shënuar fitore në duel me skuadrën e fundit në renditje, Feronikelin, me rezultat 2:0. Të dy golat malishevasit i shënuan në pjesën e dytë nëpërmjet Albin Berishës dhe Yoan Marc Olivier.