17 mars, 2024 – Në një përplasje emocionuese në xhiron e 26-të të Superligës së Kosovës në futboll, Drita dhe Gjilani e mbyllën ndeshjen me një barazim 2:2. Drita shpërdoroi një rast të artë për të barazuar pikët me Ballkanin, duke mbetur në pozitën e tretë me 50 pikë. Gjilani, nga ana tjetër, fitoi pikë të rëndësishme në garën për t’iu shmangur rrezikut për rënie nga elita, duke kaluar në pozitën e shtatë me 26 pikë.
Blendi Baftiu shënoi për Dritën në minutën e 24-t. Megjithatë, Gjilani nuk u ndal dhe shënoi dy gola për ta përmbysur rezultatin. Edi Basha barazoi në minutën e 32-të, derisa Qëndrim Ismajli i dha epërsi skuadrës së Gentian Mezanit në minutën e 44-të. Mirëpo, Drita vendosi shpejt baraspeshat në rezultat në pjesën e dytë, kur Albert Dabiqaj shënoi për të barazuar në minutën e 55-të, që në fund doli të ishte rezultati përfundimtar.
Pa fitues u mbyll edhe ndeshja në Lipjan, ndërmjet Fushë Kosovës dhe Prishtinës, por aty munguan edhe golat. Ndërkaq, Dukagjini triumfoi para tifozëve të vet në përballje me Feronikelin 74 (1:0) me një gol të Altin Merlakut, në minutën e 45-të.