besa-llamkosi1Besa ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në ndeshjet e fundit të javës së 30-të në Raiffeisen Superligë. Pejanët, të enjten, para tifozëve të vet e kanë mposhtur skuadrën kryesuese, Llamkos Kosova, me rezultat 1:0, duke arkëtuar tri pikë të qetësisë, të cilat e stabilizojnë në pjesën e epërme të renditjes. Ndërkaq, vushtrriasit pas kësaj humbje e rrezikojnë seriozisht pozitën e parë, ngase kanë vetëm katër pikë më shumë se Prishtina e Ferizaj.
Golin e fitores për pejanët e shënoi Mensur Duraku, me një gjuajtje të shkëlqyeshme nga ndërprerja në afërsi të 16 metërshit, në minutën e 54-t.
 
Në pjesën e parë për Llamkosin raste të mira shënimi patën Milot Rashica e Bashkim Shala, teksa për pejanët tërthorësen e goditi Gentian Mazrekaj me një gjuajtje të furishme.
 
Në pjesën e dytë raste më të mira shënimi pati Besa, por Endrit Maloku në dy raste nuk u tregua efikas. Fillimisht në minutën e 60-të ai doli i vetëm para portierit Florent Zymeri por gjuajti drejt në këmbët e tij, derisa në minutën e 74-t i njëjti futbollist depërtoi shkëlqyeshëm në zonë, por Zymeri sërish ia mohoi golin.