31 maj, 2017 – Skuadra e Besës iu gëzua kupës për herë të tretë që nga mëvetësimi. Pejanët në finalen e Digitalb Kupës së Kosovës, e cila u zhvillua sot në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, e kanë mundur Llapin, pas gjuajtjes së penalltive, me rezultat 4:2, pasi ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve u mbyll baras 1:1. Kësisoj, Besa arriti ta kthejë këtë trofe në Pejë pas gjashtë vitesh mungesë, por nuk do t’i gëzohet edhe daljes në Evropë, pasi nuk ka arritur të licencohet për garat evropiane. Gjithsesi fitores së Besës iu gëzua edhe Prishtina, e cila si nënkampione tashmë do të shkojë në parakualifikimet për Europa League.
Llapi pati dy rastet e para në ndeshje. Fillimisht në minutën e 4-t, kur Florim Bërbatovci doli i vetëm me portierin Beqiri, por gjuajti drejt në duart e këtij të fundit. Më pas në minutën e 18-të, Daku harkoi në zonë, por gjuajtjet e Idrizit dhe më pas të Bërbatovcit i priti portieri Beqiri. Ndërkohë, në minutën e 25-të Besa e pati një rast ideal për të kaluar në epërsi, kur Egzon Sinani bëri një gabim trashanik në mbrojtje, por Xhevdet Shabani edhe pse i vetëm me portier gjuajti mbi portë. Tre minuta më vonë pejanët fituan penallti, kur Idrizi ndërhyri në mënyrë të palejueshme ndaj Eminit. I saktë nga pika e bardhë u tregua Diar Miftaraj, duke e kaluar Besën në epërsi, 1:0, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë, ndonëse në minutën e dytë shtesë llapjanët patën mundësi për të barazuar shifrat, por Mirlind Daku pas një tollovie në zonës gjuajti mbi portë. Pjesa e dytë nisi më mirë për Llapin, që qysh në minutën e 49-të barazuan shifrat në 1:1, me golin e shënuar nga Festim Krasniqi nga penalltia, pasi paraprakisht Diar Miftaraj e ndali në mënyrë të palejueshme Idrizin. Pas barazimit të rezultatit ritmi i lojës ra dukshëm dhe më nuk pati gola as në kohën e rregullt dhe as në vazhdimet dy herë nga 15 minuta. Kësisoj, fituesi i Digitalb Kupës së Kosovës u përcaktua me penallti, ku më me fat u treguan futbollistët e Besës, të cilët fituan 4:2. Në gjuajtjet e penalltive për Besën realizuan Përparim Osmani, Diar Miftaraj, Leart Emini dhe Fisnik Papuqi, derisa i vetmi që dështoi ishte Fetim Kasapi. Në anën tjetër te Llapi shënuan vetëm Florim Bërbatovci dhe Festim Krasniqi, derisa dështuan Berat Hyseni dhe Kushtrim Shabani. Medaljet për skuadrën e Llapit i shpërndanë nënkryetari, Agim Ademi dhe anëtari i KE-së, Xhelal Broja, derisa medaljet për skuadrën e Besës, presidenti Fadil Vokrri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu. Në fund trofeun kapitenit të Besës, Fisnik Papuçi ia dorëzuan presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri dhe përfaqësuesi i Digitalbit, Adi Bejo.
Stadiumi “Riza Lushta”, Mitrovicë
Shikues: rreth 6.000
Gjyqtarë: Genc Nuza, Bujar Selimaj Fatlum Berisha, Besfort Kasumi.
Llapi: Avdyli, Idrizi, Jashari, Sinani, Kadriu, Naman, E.Zeqiri, Karabegu, Berbatovci, V.Zeqiri, Daku. Kryetrajner: Tahir Batatina.
Besa: Beqiri, Papuqi, Turku, Prekazi, Osmani, Emini, Elshani, Miftaraj, Dabiqaj, Shabani, Karahoda. Kryetrajner: Astrit Imami.