3 tetor, 2020 – Sot është zhvilluar një ndeshje në kuadër të javës së 5-të në Superligë. Skuadra e Besës e ka shijuar fitoren e parë pas rikthimit në elitë, teksa si vendase e ka mposhtur Trepçën’89, me rezultat 2:1. Një fitore kjo e cila e rrit motivin te skuadra pejane, e cila në radhët e veta ka futbollistë kryesisht të rinj por të talentuar. Pejanët kaluan në epërsi në minutën e 8-të me golin e Ardit Tahirit. Epërsinë në 2:0 e shtoi Da Silva, në minutën e 34-t kur u tregua i saktë nga penalltia. Në pjesën e dytë “minatorët” u përpoqën ta ndryshojnë epilogun e takimit, por nuk arritën më shumë se sa ta ngushtojnë diferencën në rezultat në minutën e 65-të, kur gjuajtja e Arbnor Mujës u devijua dhe përfundoi në rrjetën e portës pejane.