Futbollistët e Besës kanë shënuar fitore në ndeshjen hapëse të javës së 17-të në Raiffeisen Superligë kundër Trepçës’89, që u zhvillua, sot, në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, me rezultat 1:0. Golin e fitores për pejanët e shënoi zëvendësuesi Endrit Maloku, në minutën e 77-të pas një gabimi të mbrojtjes mitrovicase. Me këtë fitore Besa është ngjitur në kuotën e 26 pikëve. Para golit pejanët patën edhe dy mundësi të mira nëpërmjet Egzon Gashit (63’) që gjuajti nga brendësia e zonës pranë portës dhe Kushtrim Gashit (66’), që nga një pozitë e volitshme në afërsi të portës gjuajti plogësht. Trajneri i Besës, Miftar Rama, pas ndeshjes u shpreh i lumtur që stinorin vjeshtor e mbyllën me fitore. “E kam ditur se na pret një takim i vështirë. Megjithatë, djelmoshat tanë e dhanë maksimumin dhe i zbatuan të gjitha detyrat që ua kam parashtruar. Mendoj se e dëshiruam më shumë fitoren dhe në fund me meritë edhe i arkëtuam tri pikë”, ka thënë Rama. Në anën tjetër, timonieri i Trepçës’89, Fahredin Duraku u shpreh i zhgënjyer me shpërqendrimin e futbollistëve të tij në raste të caktuara që i kushtojë edhe me humbje. “Në futboll duhet të jetë përqendrimi gjatë 90 minutave. Kësaj radhe përqendrimi i skuadrës sime nuk ishte në nivel të lartë. Pësuam nga një gabim trashanik i mbrojtjes. Me lojën që e shfaqur nuk e merituam humbjen, por duhet pranuar se patëm oscilime në lojë. Duhet të punojmë shumë për t’i përmirësuar gabimet”, ka thënë Duraku.