30 janar, 2019 – Kombëtarja e Kosovës në futsall ka debutuar me humbje në ciklin e saj të parë të parakualifikimeve për Kampionatin Botëror. Në ndeshjen e parë në kuadër të Grupit B, Kosova është mundur nga Bjellorusia, me rezultat të thellë, 5:0. Ashtu siç parashikohej bjellorusët, të cilët e kishin edhe mbështetjen e tifozëve vendas, u treguan rivalë shumë të fortë dhe më kompaktë. Ata që nga fillimi e deri në fund e menaxhuan lojën më mirë dhe në fund me meritë iu gëzuan fitores. Pjesa e parë u mbyll me rezultat 3:0, derisa në pjesën e dytë të përzgjedhurit e Ramadan Cimilit duke pasur parasysh cilësitë e kundërshtarit u treguan më të kujdesshëm në mbrojtje në mënyrë që të pësojnë më pak gola. Golat për bjellorusët i shënuan Olshevski, Scherbich, Zhigalko dhe Jeton Rukovci e Fadil Goli autogola. Ndeshjen e dytë Kosova do ta zhvillojë nesër kundër Norvegjisë, kombëtare e cila sonte e mundi Andorën 5:3. Pikërisht në dy ndeshjet e ardhshme Kombëtarja jonë do të synojë që të arrijë të sigurojë pozitën e dytë në grup, e cila siguron kalimin në fazën e ardhshme kualifikuese, pasi shihet qartë se favorit për ta fituar grupin janë bjellorusët.