Tashmë kanë kaluar tri ditë që nga fitorja jonë e parë dhe akoma nuk pushojnë thirrjet telefonike dhe mesazhet e shumta komplementuese për këtë sukses të përbashkët. Reprezentacioni i Kosovës po nis një etapë të re, atë të barazimit me reprezentacionet tjera ndërkombëtare dhe padyshim se në këtë rrugëtim meritë të madhe keni edhe ju, që çdo herë keni qenë afër nesh. Prandaj duke pas parasysh afërsinë që e kemi krijuar me kohë, me ju adhurues të nderuar të ekipit tonë përfaqësues, po e ndjej si obligim që nëpërmjet rrjeteve sociale por edhe mediave t’u drejtohem për t’iu falënderuar për përkrahjen dhe për të sqaruar se çfarë në të vërtetë kemi arritur?, kënd në të vërtetë kemi mundur? Mirëpo në raste të tilla është normale që gjithnjë do të ketë individ të pakënaqur, të atillë që sukseset ose u pengojnë ose nuk e dinë rëndësinë e tyre, dhe unë me bashkëpunëtorët e mi jemi të përgatitur për situate të tilla.
Megjithatë jam vërtetë i çuditur nga disa prej reagimeve që kanë ardhur nga individë në Kosovë, të cilët fatmirësisht numërohen në gishtat e një dore dhe nuk paraqesin opinionin gjithëpërfshirës që tregoi se di të vlerësoi fitoren e ekipit që përfaqëson shtetin. Ata individ të cilëve Omani “nuk ua mbush syrin”, mbase në këtë mënyrë e tregojnë qartë se sa kanë njohuri për futbollin ndërkombëtar, për evoluimin e tij, për faktin se reprezentacionet po përafrohen do ditë e më shumë. Deklarimet e dy-tre “ekspertëve” nuk është se e ulin vlerën e fitores, e as forcën e madhe të Omanit, por për mua janë shqetësuese për një arsye tjetër. Tregojnë se çfarë efekti të madh ka pas izolimi i futbollit tonë, ato vlerësime dëshmojnë sesa pak shohim përtej nesh. Deklarime të tillë janë dëshmia se individët që nuk kanë pas rastin të shohin zhvillimin e vërtetë të futbollit, nuk e kanë idenë se kush është Omani në futbollin aziatik, por ngadalë edhe në atë ndërkombëtarë. Por mbi gjithçka tjetër janë edhe dy faktor të rëndësishëm. Në aspektin sportiv ne nuk kemi nivelin për të nënçmuar një reprezentacion si Omani, kurse në aspektin moral, nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë në traditën tonë që të tallemi ose të nënçmojmë mysafirin që na nderon, ashtu siç ishte Omani kësaj radhe.
Të nderuar qytetar që jeni gjithnjë në përkrahje të reprezentacionit të Kosovës, do të paraqes disa fakte për ju për t’ u qartësuar se cili është ekipi aktual i Omanit.
Në kualifikimet për Kampionatin e fundit Botëror, Omani e ka mbyllur grupin e vet në pozitën e katërt, por në grup ka pas reprezentacione mjaft të forta si Japonia e Australia, pjesëmarrëse standarde të Kampionateve Botërore.
Omani aktualisht po përgatitet për garën Gulf Cup që është garë jashtëzakonisht e respektuar në Azi, kurse është kualifikuar me lehtësi për Kupën e Azisë që zhvillohet në janar të vitit 2015. Omani aktualisht renditet në pozitën e 67-të në ranglistën e FIFA-së, që nënkupton se është para reprezentacioneve si: Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Bjellorusia, Arabia Saudite e reprezentacione tjera të respektuara në futbollin ndërkombëtarë.
Reprezentacionit të Omanit aktualisht i prinë Paul Le Guen, për ata që nuk kanë njohuri për të, Le Guen është njeriu që ka ndërtuar themelet e viteve më të suksesshme të historisë së Olimpique Lyonnas. Le Guen ka dal tre herë kampion i Francës me Lyonin dhe për më tepër ka arritur deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, kur ishte mposhtur në kohën shtesë nga Milani i jashtëzakonshëm i Ancelottit, nese u kujtohet.
Muaji tetor sjellë ndeshjet e radhës dhe a e dini se kë do ta ketë kundërshtar Omani?! Costa Rica-n dhe Uruguain, dy reprezentacione që mbase nuk ka nevojë të shkruaj për to, sepse besoj i keni të freskëta kujtimet nga Kampionati i fundit Botëror.
Prandaj duke pas parasysh të gjitha këto fakte që sapo lexuat, ne prapë guxuam që një kundërshtari me shumë përvojë t’i kundërvihemi edhe me lojtarë startues 17-19 vjeç, por të cilët treguan se e ardhmja është për ta. E ne loje kyçëm edhe një talent tjetër 16 vjeçar.
Më shumë sesa vet fitorja më kanë lënë përshtypje disa faza të lojës sonë, sidomos disiplina e jashtëzakonshme në mbrojtje. Omani që e dominoi ndeshjen e kaluar me Irlandën duke pasur edhe shumë goditje në portë, në ballafaqim me ne kishte vetëm një gjuajtje në portën tonë, statistikë që tregon se me çfarë përkushtimi dhe disipline i jemi qasur lojës.
Dhe për lojë, e për rezultatin komplimentet kanë ardhur edhe nga shumë media ndërkombëtare, gjermane, angleze, turke, suedeze dhe vende tjera, madje edhe nga vetë mediat rajonale përfshirë edhe ato serbe.
Mirëpo kjo nuk është vetëm fitore e imja ose e bashkëpuntorëve të mi, kjo nuk është vetëm fitore e Federatës së Futbollit të Kosovës, por është fitore e të gjithëve dhe si të tillë, unë dëshiroj t’ua dedikoj fillimisht gjithë atyre që dhanë jetën para më shumë 15 vitesh, për lirinë të cilën ne tani e gëzojmë edhe në aspektin sportiv.
Këtë fitore dëshiroj t’ ia dedikoj secilit aktivist të futbollit që nga vitet e 90-ta e këtej, janë më shumë se dy dekada në të cilat futbolli u mbajt gjallë nga ekonom, futbollist, trajner, reprezentues, selektor, sponsor tifozë e zyrtarë Federate, prandaj kjo fitore është edhe meritë e gjithë atyre.
Në fund këtë fitore dëshiroj t’ ia dedikoj edhe njërit prej futbollistëve më cilësor që kemi aktualisht, Ilir Azemit, të cilit në emër të gjithë reprezentacionit i uroj shërim të shpejtë, uroj të kthehet për të na ndihmuar sepse kemi nevojë për të.
Edhe një herë, Ju Faleminderit shumë që çdo herë keni qenë afër nesh, që çdo herë keni besuar në ne, që asnjëherë nuk jeni ndalu së ëndërruari fitoren e Kosovës.
Së bashku ja dolëm ta arrijmë të parën dhe u ftoj që të bashkuar të vazhdojmë rrugëtimin që sapo kemi nisur. Caku ynë është Kampionati i ardhshëm Botëror dhe atje mund të arrijmë vetëm me përkrahjen tuaj dhe të bashkuar.
Me respekt,
Albert Bunjaki
Përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës