30 gusht, 2017 – Kombëtarja A e Kosovës ka vazhduar edhe sot me stërvitje në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, ku shtabi tekinik u përqëndua në gjuajtjet e lira, ekzekutimet nga pika e bardhë dhe loja tekiniko-taktike . Nesër Kombëtarja do të udhëtojë për në Kroaci. Stërvitjet e sotme i ndoqën një numër i madh shikuesish si dhe anëtari i KE i FFK-së, Xhelal Broja bashkë me z. Fehmi Konxheli, përfaqësues i FFK-së për Gjermani, i cili ka dhënë shumë për futbollin e Kosovës i shoqëruar nga një tjetër kontribues në Gjermani, Besim Zeneli. Të pranishëm ishin edhe shumë trajnerë të Kosovës si Nazmi Rama, Veton Çitaku e Zekirija Ramdani. Pas stërvitjes morëm opinionet e përzgjedhësi Albert Bunjaku dhe të disa futbollistëve.
Albert Bunjaku përzgjedhës
Dy ditë kemi stërvitur mjaft mirë dhe fusha ka qenë e mirë. Jemi ballafaquar me largësinë e terrenit por edhe kjo ishte e përballueshme. Punuam shumë në mbrojtje. Kroacia është një Kombëtare e fortë, por në futboll gjithmonë ekziston befasia. Nga ndeshja e parë kemi kujtime që disa duhet harruar, por kishim edhe aksione të mira dhe raste. Kemi parasysh taktikën por përbërja do të dihet vetëm para loje. E respektojmë rivalin, por ne do të bëjmë punën tonë.
Samir Ujkani, kapiten
E dimë që Kroacia është një ekip në top formë, por edhe ne çdo ditë e më shumë po bëhemi më të fortë. Duhet të jemi realist, por të dorëzohemi assesi. Jemi përgatitur mirë, do të jemi të kujdeshëm dhe të shohim në fund se cili do të jetë epilogu.
 
 
Arbër Zeneli, futbollist
E dim që na pret një ndeshje e vështirë. Kroacia ka individ të jashtëzakonshëm por edhe ekip të mirë, por ne do të angazhohemi maksimalisht dhe do të japim gjithë forcën tonë.
 
 
Bajram Jashanica, futbollist
Pa dyshim se kemi të bëjmë me një ekip të fortë. Por jemi përgatitur mirë dhe do të japim maksimalisht gjithçka nga vetvetja që të paraqitemi rival të denjë.