Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaku, pas humbjes nga Kroacia, me shifrat 0:1 në Zagreb, në konferencën për media ka thënë se në këtë sfidë djelmoshat e tij kanë treguar lojë shumë të mirë në aspektin kolektiv dhe në repartin e mbrojtjes, por janë ndëshkuar nga një pakujdesi në mbrojtje. “E kemi ditur që do të jetë një ndeshje e vështirë. Jemi ballafaquar me një ekip të fortë dhe e kemi ditur se nuk do të kemi shumë raste. Ishte loja më e mirë e jona në aspektin kolektiv dhe mjaft e disiplinuar në aspektin e mbrojtjes. Është e dhimbshme që pësuam gol në 15 minutat e fundit, por në futboll shumë gola bien pikërisht në këtë periudhë. Mbase ka ndikuar edhe humbja nga ndeshja e parë prej 6:0 dhe e kemi ditur nuk ka vend për kalkulime. Në aspektin organizativ ishte pak e rëndë sepse sot në orën 9 e morëm lajmin se do ta luajmë vazhdimin e ndeshjes. Sot ne duhet të udhëtojmë për Tiranë dhe pas dy dite kemi ndeshjen e radhës në Shkodër. Është pak e vështirë për ne, pasi edhe udhëtimet e bëjnë të veten. Sidoqoftë ekipi jonë është i ri dhe çdo ditë po bëhet më i mirë dhe po fiton në përvojë”, ka theksuar Bunjaku.
Në anën tjetër, përzgjedhësi i Kroacisë, Ante Çaçiç, pas fitores kundër Kosovës ka thënë se me rëndësi është që skuadra e tij arkëtoi tri pikë. “Ishte një ndeshje e vështirë, por të rëndësishme janë tri pikët dhe për këtë duhet të jemi të kënaqur, sidomos për faktin se këtë ndeshje e kemi luajtur në dy ditë. Të luash dy ditë të njëjtën ndeshje kundër një kundërshtari shumë mirë të organizuar nuk është e lehtë. Sikur të shënonim gol më herët do të ishte më e lehtë, por mendoj se deri te fitorja erdhëm me meritë. Nesër udhëtojmë për Turqi që po ashtu do të jetë një ndeshje e vështirë. Tash jemi në pozitën e parë, por ende nuk e kemi siguruar kualifikimin. Kosova ka një ekip shumë perspektivë”, ka thënë Çaçiç.