17 gusht, 2017 – Pas vizitës që bëri në kryeministri, në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë dhe në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë”, presidenti i UEFA-s, z. Aleksander Ceferin dhe presidenti i FFK-së, z. Fadil Vokrri, kanë mbajtur një konferencë për media. Me këtë rast presidenti Vokrri edhe një herë ka shprehur falënderimin e madh për presidentin Ceferin për mbështetjen e tij të vazhdueshme që ka dhënë për futbollin e Kosovës, si para ashtu edhe pas anëtarësimit në UEFA, duke shprehur besimin e plotë që përkrahja e UEFA-s nuk do të mungojë as në të ardhmen.
Në anën tjetër, presidenti Ceferin, është shprehur i nderuar që vizitën e parë në rajon e ka bërë pikërisht në Kosovë, derisa ka thënë se presidentin Vokrri e ka mik të madh dhe e ka vlerësuar si legjendë të futbollit. Presidenti Ceferin ka thënë se do të vazhdojë ta përkrahë FFK-në, sikurse edhe federat tjera me projekte të ndryshme, pasi sipas tij FFK si federatë e re ka nevojë më shumë për përkrahje.
“Zgjodha ta vizitoj së pari Kosovën pasi presidenti Vokrri më bëri ftesën dhe doja të shihja nga afër infrastrukturën, e cila nuk është në nivel të mirë. Gjithsesi, ky është vetëm fillimi i rrugës së Kosovës, pasi kjo është federatë që është pranuar së fundmi dhe është normale që ballafaqohet me probleme të tilla”, ka theksuar Ceferin.
“Jam i vetëdijshëm për pasionin e madh te kosovarëve për futboll dhe jam i bindur se Kosova ka një të ardhme të ndritur. Ju keni një lidership shumë të mirë. Presidenti Vokrri është një njeri i madh. Ai është një mik i madh i imi, një legjendë e madhe e futbollit. Po ashtu edhe Eroll Salihu është një sekretar gjeneral shumë i mirë”, ka shtuar Ceferin
I pyetur nga gazetarët rreth mundësisë së krijimit të një lige regjionale, presidenti i UEFA-s, theksoi se për shkak të situatës politike kjo gjë aktualisht është e pamundur, por nuk e përjashtoi mundësinë që kjo të ndodhë në të ardhmen. Në fund, presidenti Vokrri dhe presidentin Ceferin shkëmbyen disa dhurata.