17 nëntor, 2018 – Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes është shprehur i lumtur me fitoren, por edhe me paraqitjen e ekipit të tij pas fitores bindëse 5:0 kundër Maltës. “Ajo që më ka kënaqur është se ekipi luftoj shumë gjatë tërë ndeshjes. Malta na bëri probleme në periudhën e parë të pjesës së dytë, mirëpo pas golit të dytë gjërat u lehtësuan. Më vjen mirë që shënuam 5 gola sepse në të kaluarën kemi vuajtur për të shënuar”, ka theksuar Challandes. Sa i përket ndeshjes së të martës kundër Azerbajxhanit, trajneri zviceran u shpreh: “Kur e kam parë shortin dhe programin e ndeshjeve për Ligën e Kombeve e kam menduar se ndeshja me Azerbajxhanin do të jetë finale. Jam i kënaqur që kemi ardhur deri te ky moment sepse tani kemi mundësi të shohim realisht se çfarë cilësish kemi. Më vjen mirë që kjo ‘finale’ do të zhvillohet në Prishtinë para një publiku të zjarrtë”, ka theksuar Challandes.

Ndërkohë, të gjithë futbollistët që u prononcuan pas ndeshjes u shprehën të lumtur për suksesin e arritur në La Valleta, por që theksuan faktin se që të gjithë janë me këmbë në tokë, ngase finalja e vërtetë është të martën, ku duhet kryer me sukses duelin me Azerbajxhanin për ta arritur qëllimin që ia kanë vënë vetes.

“Jam i kënaqur me paraqitjen time. Gjithmonë kam thënë se rëndësi ka loja kolektive dhe jo ajo individuale. Sot e bëmë detyrën tonë, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi të martën na pret ndeshja vendimtare me Azerbajxhanin që ka një ekip shumë të mirë”, ka theksuar Vedat Muriqi.

Ndërkaq, shënuesi i dy golave, Donis Avidjaj u shpreh: “Jam shumë i lumtur që arkëtuam tri pikët dhe për dy golat e mi. Është ndjenjë e jashtëzakonshme të shënosh. Golat ia dedikoj babait tim, që më ka përkrahur vazhdimisht. Gjithsesi tani duhet të kemi kujdes në ndeshjen e fundit me Azerbajxhanin.