17 tetor, 2023 – Kombëtarja e Kosovës U21 sot e zhvillon ndeshjen e katërt në Grupin D në kuadër të kualifikimeve për Euro 2025 kundër Bullgarisë. Kjo ndeshje luhet në “Slavia Stadium” në Sofje, në orën 17:30. Dardanët e rinj të drejtuar nga Afrim Tovërlani në tri ndeshjet paraprake kanë arritur një fitore (kundër Estonisë) dhe dy humbje (kundër Polonisë dhe kundër Gjermanisë). Ndonëse këtë herë luajnë si mysafirë, Dardanët e rinj synojnë rezultat pozitiv, duke pasur parasysh edhe faktin se kundërshtari nuk është në nivelin e favoritëve të grupit, por edhe se kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë sfidë. Përzgjedhësi Tovërlani ka deklaruar se Bullgaria nuk është në nivelin e Gjermanisë dhe Polonisë, por as nuk është ekip që duhet nënçmuar. Ai ka thënë se ekipi i tij duhet të ketë angazhim maksimal dhe t’i kryejë detyrat me shumë disiplinë nëse dëshiron të marrë rezultat pozitiv.