28 maj, 2024 – Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave, sot, ka zhvilluar stërvitjen e parë në Kampin Nacional në Hajvali, në kuadër të grumbullimit për ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, që do t’i zhvillojë kundër Kroacisë.

Dardanet do të përballen sërish me një kundërshtar të vështirë, e cila në ranglistën e ekipeve renditet shumë më lart se sa Kosova.

Përzgjedhësja Anneli Andersen ndonëse e konsideron të vështirë përballjen me Kroacinë, thekson se lojtaret e saj do ta japin maksimumin për të arritur rezultat pozitiv. “Jam shumë e lumtur të rikthehem sërish në grumbullim dhe të provojmë të mësojmë dhe të luftojmë sa më shumë. Futbolli i femrave po zhvillohet çdo ditë dhe ne gjithmonë përballemi me ekipe të forta. Ne e kemi analizuar kundërshtarin. Kroacia bën të njëjtën gjë që ne bëjmë dhe do të mundohet për të arritur fitoren. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Ne çdo herë po punojmë që të përmirësohemi”, ka theksuar Andersen.

Ndërkohë, grupi i futbollisteve dardane, që është një miks i atyre që luajnë në ekipet evropiane dhe kampionatin vendor, e presin me padurim dy ndeshjet me kroatet dhe premtojnë se do të japin më të mirën prej tyre.

“Gjithmonë është kënaqësi dhe mall të grumbullohemi me kombëtaren. Sot ka qenë stërvitja e parë dhe kemi qenë në formë të mirë fizike. Jemi shumë të motivuara dhe kemi shumë harmoni në skuadër. Në këto dy ndeshje do ta kontrollojmë veten sepse kundërshtarin nuk mundemi, Kroacia është një skuadër shumë e mirë por me stërvitjet që do t’i zhvillojmë do të jemi shumë të gatshme për të zhvilluar lojën dhe për të dhënë më të mirën”, ka theksuar Lumbardha Misini.

E sipas Viola Avdulit, ndonëse Kroacia është skuadër me nivel të lartë, Kosova do të përgatitet për t’i bërë ballë në dy ndeshjet e radhës: “Ne e dimë se Kroacia është kundërshtar i nivelit të lart dhe ne me stërvitjet që do t’i zhvillojmë edhe në ditët në vazhdim do të përgatitemi dhe do të japim maksimumin për të shënuar fitore”, ka deklaruar ajo.

Kosova përballjen e parë me Kroacinë e zhvillon, të premten, nga ora 17:00, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, derisa më 2 qershor udhëton për në Kroaci për ndeshjen kthyese.

Deri më tash Dardanet kanë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të Grupit B4 në Ligën B të kualifikimeve për Euro 2025. Në të dyja kanë pësuar humbje kundër favoriteve të grupit, Ukrainës dhe Uellsit.