9 shkurt, 2024 – Kosova ka njohur të enjten kundërshtarët e grupit në Ligën C të Ligës së Kombeve, teksa sot është zbardhur edhe kalendari i ndeshjeve për Grupin C2. Dardanët do ta nisin edicionin e ri të Ligës së Kombeve në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do të përballen me rivalin kryesor për pozitën e parë, Rumaninë. Ndeshja zhvillohet më 6 shtator, në orën 20:45. Tri ditë më pas, Kosova do të jetë mysafire e Qipros. Në tetor, Dardanët luajnë si mysafirë kundër Lituanisë ose Gjibraltarit, më datë 12 në orën 15:00, derisa më pas më 15 tetor në orën 20:45 janë mikpritës të Qipros. Dy ndeshjet e fundit, Kosova i zhvillon në muajin nëntor, ku fillimisht është mysafire e Rumanisë, më 15 nëntor, në orën 20:45 dhe më pas e përmbyllin këtë fushatë të Ligës së Kombeve në shtëpi kundër Lituanisë ose Gjibraltarit. Këto dy ekipe do të luajnë në mars ndeshjen e ‘play-out’-it për të vendosur se cila prej tyre do të garojë në Ligën C, e cila në Ligën D.

Orari i plotë i Kosovës në Ligën e Kombeve:
E premte, 6 shtator 2024, ora 20:45
Kosovë – Rumani
E hënë, 9 shtator 2024, 20:45
Qipro – Kosovë
E shtunë, 12 tetor 2024, ora 15:00
Lituani/Gjibraltar – Kosovë
E martë, 15 tetor 2024, 20:45
Kosovë – Qipro
E premte, 15 nëntor 2024, ora 20:45
Rumani – Kosovë
E hënë, 18 nëntor 2024, ora 20:45
Kosovë – Lituani/Gjibraltar