25 tetor, 2021 – Pas pritjes së gjatë e të pakuptimtë në aeroportin e Yeravanit në Armeni, Kombëtarja A e femrave u akomodua në hotel “Metropol” dhe mbajti seancën stërvitore para ndeshjes kualifikuese për Botërorin “Australi&Zelandë e Re 2023” kundër Armenisë. Stërvitja u shtrua bazuar në analizën paraprake të ndeshjes Shqipëri-Armeni, nga e cila përzgjedhësja Afërditë Fazlija dhe shtabi teknik provuan të gjitha taktikat e mundshme në mënyrë që të arrihet një rezultat i mirë. Atmosfera brenda grupit është e mirë dhe vashat janë të motivuara për fitore në mënyrë që sa më parë të harrohet humbja e thellë nga Kombëtarja e Belgjikës të enjten e kaluar. Ndeshja e nesërme kundër Armenisë zhvillohet në orën 16.00 sipas kohës së Kosovës.

Deklaratat pas stërvitjes
Edonë Kryeziu, kapitene
Kemi arritur të përgatitemi maksimalisht. Në ndeshjen me Belgjikën kemi pasur gabime  e lëshime, prandaj besoj që këto gabime nuk do t’i përsërisim dhe shpresoj e besoj në fitore dhe në shtëpi do të kthehemi me tri pikë.

 

Erletë Mehmeti, futbolliste
Jemi përgatitur maksimalisht. Atmosfera në grup është shumë e mirë. Kemi luajtur ndeshje të fortë me Belgjikën dhe kemi nxjerrë mësimet  e duhura nga kjo ndeshje, ndaj besoj në rezultat pozitiv.