21 nëntor, 2023 – Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur me humbje ciklin kualifikues për Euro 2024, pasi në stadiumin “Fadil Vokrri” ka pësuar humbje nga Bjellorusia, me rezultat të ngushtë, 0:1. Ndeshja u zhvillua në një terren të vështirë për lojë dhe nëpër mot me shi. Dardanët që nga fillimi i ndeshjes ishin më tepër në zotërim të topit dhe tentuan vazhdimisht të gjejnë rrugën e golit, por nuk arritën të finalizojnë asnjë prej mundësive të krijuara. Rastet më të mira i patën Bytyqi, Berisha e  Rashani. Në anën tjetër, bjellorusët në gjuajtjen e parë drejt portës arritën të gjejnë golin. Ishte minuta e 43-të, kur Dmitri Antilevski realizoi gol me gjuajtje nga distanca, kur përfitoi nga grushtimi i topit nga Visar Bekaj. Në pjesën e dytë sërish Dardanët u munduan me të gjitha forcat për të ndryshuar rezultatin, por fusha e rënduar dhe mbrojtja e ngjeshur e mysafirëve nuk lejoi që ata të arrijnë një gjë të tillë. Kësisoj, Kosova e mbylli këtë cikël kualifikues në pozitën e 5-të në Grupin I, me 11 pikë, një më pak se Bjellorusia e vendit të katërt.