8 qershor, 2021- Kombëtarja e Kosovës e përbërë me futbollistë të rinj dhe që shihen si potencial për të ardhmen ka pësuar humbje ndaj Guinesë, në ndeshjen e parë miqësore në kuadër të grumbullimit në Antali. Ndeshja u zhvillua në kompleksin “Arslan Zeki Demirici” në Side dhe u mbyll me shifrat 2:1 në të mirë të ekipit afrikan, i cili në këtë ndeshje u paraqit me ekipin A. Ky takim i shërbeu përzgjedhësit Challandes për të parë cilësitë e futbollistëve të rinj, e të cilët kanë pasur më pak hapësirë në ekipin kombëtare si dhe atyre që janë pjesë e Superligës. Pjesa e parë u mbyll pa gola, derisa në pjesën e dytë futbollistët e Guinesë arritën ta zhbllokojnë rezultatin në minutën e 60-të me golin e shënuar nga Kouyate, derisa pesë minuta më vonë epërsinë e shtoi Kante nga penalltia. Ndërkaq, në minutat e fundit të takimit Arb Manaj shënoi për ta ngushtuar disavantazhin dhe për ta vendosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes. Ndeshjen e radhës Dardanët e zhvillojnë të premten, ku do të përballen me Gambinë.

Deklarata e përzgjedhësit Bernard Challandes pas ndeshjes:
Jam i kënaqur me punën e ekipit. Ishte një ndeshje e vështirë sepse përballë kishim një kundërshtarë të fortë, në mesin e ekipeve të forta të Afrikës. Kemi bërë punë të mirë si ekip, si kolektiv . Të gjithë kanë vrapuar dhe kanë dhënë më të mirën nga vetja. E kemi parë nivelin dhe nuk ishte lehtë për lojtarët tanë të kishin posedimin e topit apo të kishin raste të mira shënimi. Në përgjithësi, ekipi luajti ndeshje të mirë. Por për fitore është një çështje tjetër, pasi duhet të mbajmë më shumë topin. Në këtë ndeshje, mund të them se ishte paraqitje e mirë e të gjithë lojtarëve. Mendoj se ata e kanë parë nivelin ndërkombëtar, intensitetin e lojës. Ishte një rast i mirë për të gjithë dhe për mua që t’i shoh disa lojtarë nga afër. E pranoj humbjen, sepse ishte miqësore. Por, mendoj se lojtarët kanë marrë një përvojë shumë të mirë dhe është një sinjal i mirë për të ardhmen.