3 shtator, 2019 – Entuziazmi i madh për fitoren e arritur kundër Turqisë në ndeshjen e parë kualifikuese (2:0), energjia e harxhuar në atë takim, por dhe cilësia e rivalit të sotëm duket se ishte pengesë që vashat tona t’i shmangen humbjes në ballafaqimin kundër Sllovenisë. Në fakt, sllovenet fituan me rezultat bindës 5:0, në ndeshjen e zhvilluar në Dravograd, duke e realizuar fitoren e parë në këto kualifikime. Në ndeshjen e parë sllovenet pësuan humbje nga Rusia (0:1). Lara Prasnikar dhe Mateja Zver shënuan nga dy herë, derisa Spela Kolbl kontribuoi me një gol në fitoren e slloveneve. Në Grupin A pas dy xhirove të zhvilluara kryesojnë Holanda e Rusia me nga 6 pikë, derisa Sllovenia e Kosova kanë nga 3 pikë, derisa Turqia e Estonia janë pa pikë.