10 mars, 2020 – Kombëtarja e Kosovës në konkurrencë të fermave ka pësuar humbje në përballje me Slloveninë, me rezultat 3:0. Kjo ndeshje u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në praninë e një numri të konsiderueshëm të tifozëve, të cilët në vazhdimësi i përkrahën Dardanet. Në anën tjetër edhe sllovenet e patën përkrahjen nga një grup i ushtarëve slloven pjesëtarë të KFOR-it. Vashat tona u paraqitën më mirë se sa në ndeshjen e së premtes kundër Rusisë, por as kjo nuk ishte e mjaftueshme për t’iu shmangur humbjes. Sllovenia kaloi në epërsi në minutën e 14-të kur shënoi Pamela Begiq nga brendësia e zonës. Ndërkohë, epërsinë në 2:0 e shtoi Nina Predaniq në minutën e 37-të, me të cilin rezultat edhe u mbyll pjesa e parë. Në vazhdim Dardanet patën angazhim edhe më të madh dhe ishin më dominuese në fushë, duke u përpjekur të gjejnë rrugën e golit, por hasën vështirësi për të shpërthyer mbrojtjen sllovene. Në anën tjetër sllovenet në minutat shtesë shënuan edhe golin e tretë, kësaj radhe nëpërmjet Ana Miloviq. Pas kësaj humbjeje Kosova mbetet në pozitën e katërt në kuotën e 6 pikëve, derisa Sllovenia në vendin e tretë me 9 pikë.
Pas ndeshjes përzgjedhësja Afërdita Fazlija u shpreh: “Një paraqitje e mirë e jona në krahasim me lojën e zhvilluar në Slloveni. U pa që na munguan lojtaret e sulmit. Edhe ashtu kemi pak lojtare në këtë repart, derisa Besarta Reçica dhe Besijana Pireci për shkaqe objektive sot nuk ishin për të na ndihmuar. Bëmë shumë gjëra të mira gjatë kësaj ndeshjeje, por çaluam në finalizim. Në pjesën e dytë u përpoqëm të ndryshojmë taktikisht për të qenë më ofanzivë, por edhe atë ofanzivë e bëmë me mesfushore, por që nuk na solli rezultat. Përkundër krejt kësaj mund të them se e humbëm një ndeshje, por e fituam një lojtare shumë të mirë, pasi për Edona Kastratin ky ishte debutim në fanellën e Kosovës dhe paraqitja e saj ishte shumë e mirë. Ndoshta kemi mundur të bëjmë diçka më shumë sikur t’i kishim dy sulmueset e lartpërmendura, por duhet pranuar se këto janë mundësitë tona. Gjithsesi, na mbetet të punojmë shumë në të ardhmen për të krijuar ekip edhe më cilësor”.
Kosova – Sllovenia 0:3
Stadiumi “Fadil Vokrri”
Shikues: Rreth 2000
Gjyqtare: Otte, De Vries, Delcrois, Onsea (Belgjikë)
Shënuese: Begiq (14′), Predaniq (37′), Miloviq (90′)
Kartonë të verdhë: Halilaj, Ejupi; Agrezh
Kosova: Leci, Shala, Kastrati, Halilaj (Biqkaj), Syla, Hisenaj, Shala, Limani, Kryeziu (Ejupi), Memeti, Uka.
Sllovenia: Sapek, Agrezh, Rozmariq, Koroshec (Makovec), Erman, Çonç, Prashnikar, Predaniq (Miloviq), Kolbl, Erzhen, Begiq.