4 qershor, 2024 – Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka pësuar humbje në përballje me Kroacinë, në ndeshjen e katërt të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2025. Ndeshja e zhvilluar në Karlovac, u mbyll me rezultat 2:0.

Përzgjedhësja Anneli Andersen e nisi ndeshjen me këtë formacion: Alma Demiri, Rrezona Ramadani, Erëleta Memeti, Valentina Limani, Edona Kryeziu, Elizabeta Ejupi, Valentina Metaj, Feride Kastrati, Agnesa Gashi, Vanessa Hoti dhe Modesta Uka.

Dardanet nuk e filluan mbarë ndeshjen, duke u gjendur në disavantazh që në çerekun e parë të lojës. Në minutën e 15-të, Ivana Rudelic shënoi golin e parë për Kroacinë, duke i dhënë epërsinë skuadrës vendase. Pas këtij goli, Kosova nuk arriti të krijojë raste të pastra për shënim dhe pjesa e parë përfundoi me rezultatin 1:0.

Në pjesën e dytë, Kombëtarja e Kosovës u përpoq maksimalisht për të gjetur rrugën drejt golit të barazimit. Megjithatë, përpjekjet e Dardanëve nuk u konkretizuan me gola. Nga ana tjetër, Kroacia shënoi sërish në minutën e 74-t përmes Ana Mari Markoviqit, duke e vulosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes në 2:0.

“E kemi parë që ky  nivel është pak më lart se ne. Sidoqoftë ne kemi marrë një eksperiencë të mirë në këtë nivel. Edhe pse kemi humbur, mund të marrim gjërat pozitive nga këto katër ndeshjet e deritashme të këtij niveli.  Ne e dimë se ende jemi më të dobët për këtë nivel dhe duhet të punojmë shumë. Sot nuk kemi mundur të krijojmë shumë raste. I kemi pasur dy-tre mundësi por na ka munguar fati. Në anën tjetër, kroatet nuk krijojnë shumë raste, por ato që i kanë i konkretizojnë dhe kjo e bën diferencën”, ka thënë pas ndeshjes kapitenja Erëleta Memeti.

Kjo humbje e vështirëson pozitën e Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2025, teksa deri në fund Dardanet do t’i luajnë edhe dy ndeshje kundër Ukrainës dhe Uellsit, me të cilat në përballjet e para kanë pësuar humbje.