14 nëntor, 2020 – Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para ndeshjes kundër Sllovenisë. Dardanët, të shtunën në mbrëmje, kanë stërvitur në stadiumin “Stozice” në Lubjanë, aty ku nesër në orën 20:45 do të zhvillojnë ndeshjen kundër sllovenëve në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve. Edhe në stërvitjen e sotme futbollistët punuan me përkushtim të madh, teksa dëshira për rezultat pozitiv është jashtëzakonisht e madhe. Para stërvitjes në konferencën për media ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti vuri në pah mungesat e shumta në ekip si dhe mungesën e minutazhës së lojtarëve në klubet e tyre, por edhe cilësitë e kundërshtarit, duke e vlerësuar këtë ndeshje si të vështirë. Megjithatë, ai shprehu besimin e tij dhe të stafit tek lojtarët për rezultat pozitiv. Në anën tjetër, edhe Hekuran Kryeziu u shprehu konsideratën e tij për kombëtaren sllovene, por shprehu shpresën se ekipi do të reagojë si duhet pas paraqitjes jo të mirë kundër Shqipërisë dhe do të nxjerrë rezultat pozitiv.