24 mars, 2019 – Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur sonte stërvitjen e fundit para ndeshjes së saj debutuese në kualifikimet për Euro 2020 kundër Bullgarisë, që zhvillohet të hënën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Përzgjedhësi Bernard Challandes në stërvitjen e fundit ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët duke përfshirë edhe Benjamin Kolollin. Atmosfera në Kombëtare është jashtëzakonisht e mirë dhe të gjithë futbollistët janë optimistë për sukses, ndonëse janë të vetëdijshëm për përvojën e kundërshtarit në ndeshje të tilla. Para stërvitjes në konferencën për media janë paraqitur përzgjedhësi Bernard Challandes dhe mesfushori Hekuran Kryeziu. Ky i fundit theksoi se është i gatshëm për lojë dhe do të japë maksimumin së bashku me shokët e ekipit. “E kemi analizuar kundërshtarin. Në Ligën e Kombeve nuk kanë bërë shumë gola. Ne e pamë me Danimarkën se mund të bëjmë mirë dhe jemi optimistë se me mbështetjen e tifozëve mund t’ia dalim. Bullgaria është ekip ndryshe nga Danimarka, pasi janë fizikisht të fortë dhe kanë agresivitet”, ka thënë Kryeziu.

Ndërkaq, përzgjedhësi Challandes e ka vlerësuar Bullgarinë si kundërshtar shumë të fortë, por sipas tij nëse djemtë tanë angazhohen, luftojnë për çdo top dhe nuk e humbin përqendrimin atëherë mund të arrijnë te suksesi. “Nëse luajmë mirë, kemi mundësi t’i marrim tri pikët, por duhet ta dimë se do të jetë ndeshje krejt ndryshe nga ajo me Danimarkën. Tani kemi para vetes një ndeshje kualifikuese dhe bullgarët janë shumë agresivë dhe kanë futbollistë me përvojë”, ka thënë Challandes.

Për më shumë ndiqeni konferencën e plotë në videon e mëposhtme: