17 nëntor, 2020 – Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në prag të ndeshjes së fundit për këtë vit kundër Moldavisë, që luhet nesër në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Atmosfera në radhët e Dardanëve është mjaft e mirë, derisa dëshira për ta mbyllur këtë vit me fitore dhe për t’i dhënë fund serisë pa fitore është e madhe tek secili futbollist. Edhe në stërvitjen e sotme Dardanët punuan me përkushtim, por pa ngarkesë të madhe fizike. Para stërvitjes në konferencën për media u paraqitën ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti dhe mesfushori Herolind Shala, i cili nuk luajti në ndeshjen e kaluar. Sahiti theksoi se ky vit ka qenë i vështirë në të gjitha aspektet, por theksoi se Kombëtarja ka fituar përvojë, e cila do t’i ndihmojë për kualifikimet e Botërorit 2022. Ai u shpreh i kënaqur me lojën e treguar ndaj Sllovenisë, teksa theksoi se loja e treguar atje e ka ngritur moralin edhe tek lojtarët dhe tani synohet fitorja ndaj Moldavisë. Ndërkohë, Herolind Shala ka shprehur besimin se në ndeshjen e nesërme do të arrijnë t’i gëzohen fitores dhe do t’ia dalin që ta sigurojnë mbetjen në Ligën C të Ligës së Kombeve, por theksoi se duhet pasur kujdes dhe nuk duhet nënçmuar aspak kundërshtari.