16 tetor, 2023 – Kombëtarja e Kosovës U-17 e ka zhvilluar sot miqësoren e dytë kundër Kombëtares së Shqipërisë, të së njëjtës grupmoshë. Ndeshja e zhvilluar në “Kukës Arena” ka përfunduar me fitoren e kuqezinjve, me rezultat 3:1. Gjithçka rreth fituesit të këtij takimi u vendos në pjesën e parë, kur vendasit shënuan tre gola. Xheto Joi Nuredini realizoi në minutën e 5-të, derisa më pas Matias Gici, shënoi dy gola në minutat 20-të dhe 37-të për të shkuar në pushim me epërsi prej tre golash. Në pjesën e dytë të përzgjedhurit e Arbnor Morinës u angazhuan maksimalisht për të ndryshuar epilogun e lojës, por arritën të shënojnë vetëm një gol dhe atë në minutën e 76-të përmes Leandro Maksutajt. Këto dy miqësore i shërbyen përzgjedhësit Morina dhe stafit të tij për ta përgatitur sa më mirë ekipin për ndeshjet kualifikuese të Evropianit, të cilat do të zhvillohen në muajin e ardhshëm. Kosova bën pjesë në Grupin e 9-të, ku janë të përfshira edhe Anglia, Kroacia dhe Ishujt Faroe. Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Kroaci, më 3, 6 e 9 nëntor.