21 nëntor, 2023 – Djemtë e Kosovës U19 kanë arritur të kualifikohen në ‘Elite Round’ për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2024, pasi tubuan pesë pikë dhe përfunduan në vendin e dytë. Në ndeshjen e fundit në kuadër të grupit të 7-të Dardanët U19 barazuan ndaj Kombëtares së Maltës, me rezultat 2:2. Në pjesën e parë ndonëse Dardanët u gjenden në disavantash pas golit të Mathias Fenech në minutën e 6-të, në vazhdim mbizotëruan dhe krijuan disa raste shënimi. Shifrat u barazuan në minutën e 39-të, kur Barabara i Maltës ndërhyri brenda zonës ndaj Gashjanit dhe gjyqtari grek Fotias tregoi në pikë e bardhë. I saktë nga 11-metërshi ishte Eliot Bujupi. Sulmet e Dardanëve ishin të parreshtura drejt portës malteze dhe si rrjedhojë në minutën e 42-të Gerbovci e kaloi Kosovën në epërsi në 2:1, me të cilin rezultat u përmbyll pjesa e parë. Në pjesën e dytë Dardanët luftuan për ta shtuar epërsinë por nga dëshira e madhe nuk ishin konkretë para portës malteze. Në minutën e 82-të ndërhyrjen e Shahinit ndaj Tumes gjyqtari e akordoi në penallti, nga ku Caruana barazoi në 2:2, me të cilin rezultat u mbyll ndeshja e fundit e këtij turneu kualifikues. Pas ndeshjes përzgjedhësi Adil Maliqi u shpreh i lumtur për kualifikimin tutje. “Uroj ekipin për kualifikim, pasi në këtë turne treguan dhe dëshmuan cilësi. Ky grup i futbollistëve meriton shumë. Madje ata e kanë merituar edhe sot fitoren, duke u bazuar në angazhimin e tyre dhe në lojë. Por, duhet të punojmë edhe më shumë tutje e të përgatitemi për sfidat e radhës”.

Malta – Kosova 2:2 (1:2)
Stadiumi: Cententary – Ta Qali
Shikues: Disa dhjetëra
Gjyqtarë: V. Fotias (GRE), A. Meintanas(GRE), K. Sokratous (CYP) e Ch. Theoull(CYP).
Shënues: M. Fenech (6) Caruana (82 p)për MLT e Bujupi (39 p) e Gerbovci (42) për KOS
Kartonë të verdhë: Micallef (Maltë) dhe Bujupi, Zeqiraj e Jashari i Kosovës.
Malta: Camilleri, Baldacchino, Xerri, Chukuunyere (Vella), K. Fenech, Caruana, Barbara, M. Fenech, Tuma e Dobono (Gatt).
Kosova: Miftari, Dobruna, Zeqiraj, Shahini, Salihu (Ibrahimi), Gerbovci (Talla), Lokaj, Gashi (Rama), Jashari (Liutilli), Bujupi e Gashijani (Ajazaj).