25 tetor, 2021 – Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e femrave ka pësuar humbje në ndeshjen vendimtare të Grupit 5 të Ligës B për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2022. Pas fitoreve ndaj Letonisë dhe Lihtenshtajnit, Dardanet U19 kanë pësuar humbje nga nikoqirja e ndeshjeve të këtij grupi, Kroacia, me rezultat të ngushtë 1:0. Për fatin e keq golin e vetëm të kësaj ndeshjeje e realizoi futbollistja jonë Elemdina Avdili, në minutën e 36-të, e cila duke dashur ta dëbojë topin pas harkimit të kroateve nga këndorja e dërgoi atë në rrjetën e portës sonë. Në vazhdim të ndeshjes përkundër përpjekjeve maksimale për të barazuar rezultatin vashat e drejtuara nga Kushtrim Munishi nuk ia arritën qëllimit, ndonëse i patën dy raste të pastra shënimi nëpërmjet Albulena Gurit dhe Fortesa Berishës. Kësisoj, Kosova i  mbylli këto kualifikime me 6 pikë në pozitën e dytë, teksa Kroacia e siguroi kalimin në Ligën A dhe pjesëmarrjen në fazën e radhës kualifikuese. Kalimin tutje e siguron edhe vendi i dytë më i mirë nga gjashtë grupet e Ligës B.