22 mars, 2024 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka marrë një pikë të rëndësishme në Chemnitz përballë favoritit të Grupit D, Gjermanisë, në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2025. Djelmoshat e drejtuar nga Afrim Tovërlani arritën ta ruajnë të paprekur rrjetën e portës së tyre në ndeshjen e zhvilluar, të premten, në “Stadion an der Gellertstrase”.

Paraqitja e Dardanëve të rinj kundër njëres prej superfuqive të futbollit evropian ishte e shkëlqyeshme. Ata treguan guxim dhe vendosmëri gjatë tërë ndeshjes dhe në fund djersa e tyre u shpërblye me rezultat pozitiv.

Përzgjedhësi Afrim Tovërlanit u shpreh i kënaqur me paraqitjen e Dardanëve:

“Ishte ndeshje shumë e vështirë, ndaj një Gjermanie për të cilën skemi pse flasim. I falënderoj shumë futbollistët për angazhimin dhe luftën e pa kompromis, i falënderoj edhe tifozët që kishin ardhur të na përkrahin. Nuk patëm fat në ndeshjen e parë në Prishtinë sepse besoj se edhe pozita jonë në tabele do të ishte ndryshe. Djemtë tanë luftuan shumë ndaj një kampioni të shumëfishtë kushtet dhe mjetet e të cilëve janë të pakrahasueshme. Jam shumë i lumtur për djemtë të cilëve iu shpagua angazhimi, mundi dhe djersa.” shtoi ndër të tjera përzgjedhësi Tovërlani.

Kosova U21 renditen në vendin e katërt në Grupin D, me 9 pikë në 7 ndeshjet e luajtura deri më tash.

Ndeshjen e radhës të përzgjedhurit e Tovërlanit do ta kenë në shtator kundër Izraelit U21 si mysafirë, derisa deri në mbyllje të këtij cikli kualifikues do të ballafaqohen edhe me Poloninë dhe Estoninë.

Kosova e nisi ndeshjen me këtë përbërje: Mustafë Abdullahu; Ardi Ajdini, Andi Hoti, Rejan Thaçi, Elvis Letaj; Milot Avdyli, Lindon Emërllahu, Altin Kryeziu, Florian Haxha; Fatjon Bunjaku, Arian Llugiqi. Luajtën edhe: Veton Tusha, Arbnor Hasani, Oltion Bilalli, Valton Behrami dhe Etnik Brruti.