8 prill, 2024 – Kombëtarja e Kosovës (vajzat/gratë) ka mbajtur seancën e radhës dhe të fundit para përballjes me Uellsin. Kjo ndeshje zhvillohet të martën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në orën 14:00, në kuadër të Grupit 4 të Ligës B për kualifikimet e Kampionatit Evropian. Përzgjedhësja Anneli Andersen në këtë stërvitje është përqendruar kryesisht në punën taktike, në eliminimin e dobësive të shfaqura në humbjen kundër Ukrainës në ndeshjen e parë si dhe në rreshtimin sa më të mirë të ekipit për duelin e vështirë me uellsianet.

Përzgjedhësja Andersen e pranoi se niveli i Ligës B është shumë më i lartë se sa ai në Ligën C dhe është e vështirë të fitohen ndeshjet, por u shpreh e kënaqur me progresin e futbollisteve dhe me përkushtimin e tyre. Edhe futbollistet Viola Avduli dhe Florentina Kolgeci u shprehën të vetëdijshme për forcën e kundërshtarit, por theksuan motivin e lartë të bashkëlojtareve për paraqitje të mirë.

Deklaruan pas stërvitjes

Anneli Andersen: E kishim një ndeshje shumë të vështire kundër Ukrainës para disa ditësh. Tash do të takohemi me një ekip shumë të mirë e të re siç është Uellsi. Kemi bërë përgatitje shumë të mira duke u bazuar në kushtet të cilat i kemi dhe po përpiqemi të bëjmë më të mirën. Po përdorim çdo seancë stërvitore që të jemi ekip më i mirë dhe po e shfrytëzojmë çdo ndeshje që të përparojmë. Po ashtu, e kemi te qartë që jemi në një pozitë të pavolitshme në një grup të vështirë. Nuk jemi favorit në grup, andaj duhet të shfrytëzojmë të gjitha aftësitë personale që të marrim rezultate të mira në ndeshje. Me padurim po presim këtë ekperiencë në vazhdim dhe pas përfundimit të gjashtë ndeshjeve të këtij cikli do ta shohim se jemi të mirë si ekip.

Florentina Kolgeci: Normalisht se humbjet nuk i përjetojmë mirë por kur e dimë se e kemi një ndeshje tjetër të rëndësishme jemi munduar që humbjen nga Ukraina ta lëmë pas shpinës. Kemi diskutuar për ca lëshime të vogla në ndeshjen kundër Ukrainës, të cilat na kushtuan me rezultat dhe po mundohemi të fokusohemi sa më shumë që kundër Uellsit t’i eliminojmë ato. Energjia e grupit është shumë pozitive. I shoh vajzat optimiste dhe sigurisht se do ta japin maksimumin në fushë. Shpresojmë të bëjmë një paraqitje sa më të mirë dhe të mos zhgënjejmë me rezultat.

Viola Avduli: Ne e dimë se Uellsi është një kombëtare me nivel të lartë, por ne do të japim maksimumin dhe do të jemi shumë pozitive dhe në fushë do të dalim ta mbështesim njëra – tjetrën. Gjithashtu i ftojmë tifozët Dardanët të vijnë në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ dhe të na mbështesim për të dhënë më të mirën.